Aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për fajde me dëm prej 140 mijë eurosh

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, dy prej të cilëve për fajde, ndërsa një tjetër për manipulim me prova.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit B.K. dhe F.S., ky i fundit që gjendet në arrati, dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të fajdesë.


Sipas aktakuzës, ata kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit L.S., duke i dhënë hua shuma të ndryshme parash me kamata dhe provizione mujore dukshëm joproporcionale me shumat e huazuara.

Përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për pagesën e detyrimeve, të pandehurit dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash, ndërsa të dëmtuarit L.S. dhe babait të tij M.S. u kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 140 mijë eurosh.


Ndërkaq, aktakuzë është ngritur edhe ndaj H.T., i cili dyshohet për manipulim me prova.
Sipas Prokurorisë, gjatë muajit prill të vitit 2024, në Suharekë, ai kishte marrë nga M.S. origjinalin e marrëveshjes së huasë të lidhur ndërmjet B.K. dhe L.S., me pretekstin se do t’ia prezantonte B.K.-së.


Mirëpo, pasi ia kishte prezantuar, ai dyshohet se e kishte shkatërruar dokumentin dhe e kishte bërë të papërdorshëm, me qëllim të pamundësimit të përdorimit të tij në procedurë penale.


Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Të pandehurit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Artikuj të tjerë

Back to top button