
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka dënuar ashpër sulmin ndaj gjyqtares së Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Viti, Qëndresa Sejdiu, i ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Sadovinë e Jerlive
KGJK-ja thekson se sulmet e këtij lloji ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme dhe të patolerueshme, dhe i dënon fuqishëm ato. Çdo akt i tillë përbën sulm ndaj sistemit të drejtësisë dhe ndaj vetë sundimit të ligjit.
“KGJK mbështet fuqishëm gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, në shërbim të drejtësisë dhe interesit publik.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e menjëhershëm të rastit dhe për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore” thuhet në njoftim të KGJK-së.
I dyshuari për sulmin është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje pas intervistimit.
Rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar”.



