
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqi, ka kundërshtuar nga foltorja e Kuvendit aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si padrejtësi me pasoja për Kosovën.
Në fjalimin e tij, të mbajtur në gjashtëvjetorin e arrestimit dhe transferimit në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së, Krasniqi ka pretenduar se dënimet ndaj Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit nuk kanë të bëjnë me përgjegjësi individuale të dëshmuara, por me pozitat politike që ata kishin mbajtur.
“Më 16 shtator 2026, nuk u dënuan Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi për veprimet e tyre apo për përgjegjësitë e tyre individuale. U dënuan për shkak të posteve politike që ata kishin bartur”, deklaroi deputeti i PDK-së.
Krasniqi ka kundërshtuar edhe trajtimin e Drejtorisë Politike të UÇK-së gjatë procesit gjyqësor, duke pretenduar se përmes këtij aktgjykimi po synohet të njolloset qëllimi i luftës çlirimtare.
“Kjo ka vetëm një arsye: duan t’i përlyejnë dhe baltosin objektivat e UÇK-së, objektivat e kësaj drejtorie politike, të cilat ishin të njëjta ndër breza: liria dhe pavarësia e Kosovës”, u shpreh ai.
Deputeti i PDK-së ka paralajmëruar gjithashtu se aktgjykimi mund të shërbejë si bazë për shtetet që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës për të zhvilluar fushata diplomatike kundër vendit, duke e paraqitur atë si dënim të luftës së UÇK-së.
“Imagjinoni ofensivën diplomatike që do të zhvillojnë vendet kundërshtare të pavarësisë sonë, të cilat nuk janë të pakta. E këto vende nuk do të flasin për dënime individuale, por do të flasin për dënimin dhe kriminalizimin e një lufte çlirimtare, siç ishte ajo e UÇK-së”, tha ai.
Duke iu referuar dëshmive të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, Krasniqi ka pretenduar se persona nga kategori të ndryshme, përfshirë përfaqësues ndërkombëtarë dhe familjarë të viktimave, kishin dëshmuar në mbështetje të pafajësisë së të akuzuarve.



