
Aksidentet në trafik në Kosovë janë mjaft shqetësuese në vendin tone, ku vetëm dje me datën 2 shtator, janë raportuar 4 aksidente trafiku tre prej tyre me fatalitet.
Njëri nga aksidentet tragjike ka ndodhur të mërkurën, më 2 shtator, rreth orës 15:35, në rrugën Ferizaj–Prishtinë, në Çagllavicë.
Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor.
Këmbësori i lënduar është dërguar për trajtim në QKUK, por mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij. Me vendim të prokurorit, trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa shoferi i dyshuar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Një tjetër aksident me pasoja fatale ka ndodhur rreth orës 20:17 në fshatin Llukar të Prishtinës, ku janë përplasur një veturë dhe një motoçikletë.
Motoçiklisti ka pësuar lëndime të rënda dhe është transportuar në Emergjencën e QKUK-së, ku më pas është konstatuar vdekja e tij. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Viktima është Laurent Krasniqi, TikToker i njohur dhe ish-banor i Big Brother VIP Kosova.
Krasniqit do t’i jepet lamtumira e fundit sot, më 3 shtator. Varrimi do të bëhet në orën 17:00, në varrezat e fshatit Llukar.
Bilancit tragjik i është shtuar edhe vdekja e një personi që po trajtohej në Spitalin e Vushtrrisë pas një aksidenti të ndodhur më 5 gusht.
Sipas Policisë, viktima ishte goditur nga një veturë dhe po trajtohej në repartin intensiv. Më 2 shtator ai ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion



