
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masë sigurie mbi një ngastër prej 68 ari në zonën e fakulteteve teknike, pronë komunale e dhënë në shfrytëzim të përhershëm të Universitetit të Prishtinës.
Sipas UP-së, masa është vendosur më 24 gusht 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Vendimi ndalon çdo veprim që mund të çojë në shitjen, bartjen, dhurimin, ngarkimin me barrë, dhënien në shfrytëzim, ndryshimin e gjendjes faktike apo tjetërsimin e pronës në çfarëdo forme. Universiteti e ka cilësuar këtë vendim si të rëndësishëm për mbrojtjen e pronës publike, duke theksuar se për vite me radhë mbi këtë ngastër janë ngritur pretendime nga persona privatë.
Sipas UP-së, ndaj Universitetit janë paraqitur edhe kërkesa financiare në vlera milionëshe për pagesën e qirasë për këtë hapësirë, të cilën Universiteti thotë se e ka shfrytëzuar në mënyrë legjitime për veprimtari akademike dhe institucionale.
Rasti lidhet me një aktgjykim të pretenduar të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë të vitit 1998, përmes të cilit pretendohet se prona komunale kishte kaluar në pronësi private dhe më pas ishte bartur te persona të tjerë.UP-ja ka rikujtuar se çështja ishte trajtuar edhe nga një komision parlamentar, i cili sipas Universitetit kishte evidentuar dyshime lidhur me dokumentacionin dhe historikun e pronës dhe kishte kërkuar trajtimin e rastit nga organet kompetente.Universiteti ka bërë të ditur se mbrojtja e pronave universitare mbetet prioritet i menaxhmentit aktual.
“Prona publike nuk është pronë pa zot. Ajo i përket publikut. Dhe Universiteti i Prishtinës do ta mbrojë atë pa kompromis”, thuhet në komunikatën e UP-së.
Po ashtu, Universiteti u ka bërë thirrje personave fizikë dhe juridikë që, sipas tij, mbajnë apo shfrytëzojnë pa bazë të qartë juridike hapësira dhe prona universitare, që deri më 30 tetor 2026 t’i lirojnë dhe t’ia kthejnë Universitetit.



