Incidenti në Skenderaj – Ndalohen dy persona, Lushtaku s’i përgjigjet ftesës për intervistim

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka ndaluar dy persona për incidentin e sotëm në Skenderaj ndërmjet kryetarit të kësaj komune, Sami Lushtakut dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet, Hysni Mehani.
Sipas prokurorisë, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë dëshmitarë si dhe dy të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”.
Ndërkaq, dy të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se si pasojë e sulmit fizik, lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy persona me iniciale H.M., dhe B.Z.
Për rastin, kjo prokurori thotë se së bashku me policinë janë mbledhur prova relevante.



