
Mbi 290 masa për ndalimin e punimeve janë shqiptuar dhe 8,608 inspektimeve të realizuara brenda shtatë muajve, ndërsa institucionet janë në proces të rekrutimit të 39 inspektorëve të rinj të punës.
Këto të dhëna i ka bërë të ditura ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, gjatë takimit të parë të Këshillit Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, ku është diskutuar për parandalimin e aksidenteve dhe forcimin e mbikëqyrjes në vendet e punës
Hoti tha se gjatë muajit prill ishin ndërmarrë masa emergjente për intensifikimin e inspektimeve, me fokus të veçantë në vendet e punës që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë.“Në kuadër të veprimtarisë inspektuese janë ndërmarrë mbi 290 masa për ndalimin e punimeve për shkak të shkeljeve të evidentuara nga 8,608 inspektime të realizuara brenda vetëm shtatë muajve”, deklaroi ai.
Një tjetër ndryshim i prezantuar nga ministri lidhet me mënyrën e zhvillimit të kontrolleve. Sipas tij, Inspektorati Qendror i Punës ka kaluar në inspektim të plotë digjital, ndërsa është marrë vendim edhe për përdorimin e dronëve si mjet mbështetës për mbikëqyrjen e kantierëve dhe vendeve me rrezikshmëri të lartë.Hoti tha se synimi është që përmes këtyre mjeteve të ketë dokumentim më të saktë të shkeljeve, më shumë transparencë dhe reagim më të shpejtë nga institucionet.Në të njëjtën kohë po zhvillohen procedurat për punësimin e 39 inspektorëve të rinj. Sipas ministrit, një pjesë e kandidatëve tashmë kanë përfunduar intervistat, ndërsa procedurat për pjesën tjetër vazhdojnë.
Ministria ka paralajmëruar gjithashtu një fushatë kombëtare për sigurinë dhe shëndetin në punë, përmes së cilës synohet informimi i punëdhënësve për detyrimet ligjore dhe i punëtorëve për të drejtat e tyre dhe mënyrat e raportimit të shkeljeve.Hoti pranoi se pavarësisht masave të ndërmarra, aksidentet në vendet e punës, përfshirë ato me fatalitet, vazhdojnë të ndodhin dhe tha se secili rast duhet të analizohet për përcaktimin e përgjegjësive dhe parandalimin e përsëritjes.
Këshilli Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë është organ trepalësh ku përfaqësohen Qeveria, punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe ka mandat të propozojë e rekomandojë politika në këtë fushë. Qeveria e kishte themeluar përbërjen aktuale të Këshillit më 14 maj 2026.



