Ministria nuk ia riktheu shkëlqimin, FRUTEX merr përsipër restaurimin e Islahanës së Vjetër në Prizren

Kompleksi i “Islahanës së Vjetër” në Prizren pritet të marrë një pamje të re, pasi kompania FRUTEX SH.P.K., pronare e kompleksit, ka bërë të ditur se merr përsipër përgjegjësinë për ruajtjen, restaurimin dhe zhvillimin e këtij aseti me rëndësi historike dhe kulturore.

Përmes një njoftimi, FRUTEX ka prezantuar vizionin për të ardhmen e kompleksit, duke bërë të ditur se synon ta restaurojë objektin historik dhe t’ia rikthejë shkëlqimin, duke ruajtur vlerat arkitekturore dhe autenticitetin e tij.

Krahas restaurimit të objektit ekzistues, kompania ka paralajmëruar edhe zhvillimin e pjesëve të tjera të kompleksit me ndërtime bashkëkohore, të cilat, sipas saj, do të realizohen në respekt të trashëgimisë kulturore dhe në përputhje me kushtet dhe kufizimet ligjore.

“Ky është më shumë se një investim. Është një përkushtim ndaj historisë së Prizrenit dhe një kontribut për të ardhmen e tij”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Njoftimi i FRUTEX-it vjen në një kohë kur ruajtja dhe revitalizimi i objekteve të trashëgimisë kulturore mbetet një çështje me rëndësi për qytetin historik të Prizrenit.

Me këtë zotim, kompania synon që përmes investimit privat t’i japë një perspektivë të re kompleksit të Islahanës së Vjetër, duke ndërthurur ruajtjen e trashëgimisë me zhvillimin bashkëkohor.

Artikuj të tjerë

Back to top button