“Vajzën 5-vjeçe e kishte aty”, detaje nga vrasja e 37-vjeçarit në Mitrovicë 

Një rast i rëndë është shënuar të mërkurën mbrëma në lagjen Romëve në Mitrovicë të Jugut, ku një 37-vjeçar, Eduan Brahimi, mbeti i vrarë, ndërsa vëllai i tij, Shaban Brahimi mbeti i plagosur.

Gazetarja e Klan Kosovës, Diellëza Berisha, për emisionin “Kosova Today”, bëri të ditur se për momentin, i plagosuri është duke u marr në pyetje nga policia në cilësinë e dëshmitarit, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa daja i dy vëllezërve, Habib Hajdini, për Klan Kosovën ka treguar se si ka ndodhur ngjarja.

“Viktima ka qenë i përgjakshëm, kam menduar që është rrahur me dikë. Kur i kam pyetur policët, më kanë treguar se janë dy të lënduar që janë dërguar në spital. Shokët e lagjes aty më kanë treguar se më kanë pasur problem. Vëllai i viktimës, Shabani veç se kishte pas ardhur nga Gjermania, dhe ka shkuar te vëllai i tij për me shku në Lipjan, për festë të Bajramit, ka pasur muzikë atje. Me viktimën, Erduanin, ka qenë një shok i tij si dhe vajza pesëvjeçare e Erduanit”, tha daja i të ndjerit.

Sipas Hajdinit, dorasi ka shkuar rreth orës 21:00 te shtëpia e Erduanit, i cili sipas dajës, ia ka hapur derën.

“Ndoshta i kanë ndërruar dy-tre fjalë, e pastaj ka nxjerr një mjet të mprehtë ku i ka mëshuar në fyt. Ndërkohë, Shabani dhe ai shoku kanë qenë në terasë. Kur e kanë pa Erduanin, e kanë pa të përgjakshëm. Vrasësi ka tentuar më pas edhe Shabanin ta sulmojë”, tha Hajdini.

Sipas Hajdinit, Shaban Brahimi është lënduar në fytyrë, kurse dorasi Arben Spasolli është larguar nga vendi i ngjarjes.

Kujtojmë se i dyshuari është kapur nga policia dhe është dërguar në mbajtje për 48-orë.

Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata. 

Artikuj të tjerë

Back to top button