Siria njeh pavarësinë e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Republika Arabe e Sirisë ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës. Lajmi u bë publik përmes një postimi në rrjetet sociale, ku Osmani theksoi se njohja u arrit me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

“Siria njeh Kosovën! Me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Ajo falënderoi Presidentin sirian, Al Sharaa, për vendimin e njohjes dhe për mbështetjen ndaj popullit të Kosovës. “Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Kjo njohje nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe e sakrificës së brezave për të jetuar të lirë,” theksoi Osmani.

Presidentja ka bërë të ditur se me këtë njohje, numri i shteteve që e njohin Republikën e Kosovës arrin në 120. “Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë,” përfundoi ajo.

Artikuj të tjerë

Back to top button