Presidentja nuk ka kompetencë të procedojë në Kuvend zgjatjet buxhetore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nëse nuk arrihet konsensus që të ketë zgjatje të ndarjeve buxhetore edhe për tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, do ta nis vetë këtë procedurë.

Duke u thirrur në nenin 79 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Osmani tha se zgjatjet buxhetore dhe Planin e Rritjes do i procedojë në Kuvend si nisma legjislative.

“Propozimi im ishte që të gjejmë rrugë përpara, kishte shqetësime rreth procedurave, prandaj edhe propozimi im ishte që sipas nenit 79 të Kushtetutës, që nëse ata s’dakordohen që këto iniciohen si nisma legjislative nga qeveria atëherë atë detyrim ta marr unë dhe si presidente t’i procedoj edhe zgjatjet buxhetore edhe Planin e Rritjes si ligje në Kuvend meqenëse nuk i kam të drejtat e kufizuara dhe një gjë e tillë njihet si e drejtë e presidentes”, tha ajo në konferencën e së premtes.

Por me ligj, një gjë e tillë nuk i lejohet Presidentit të Republikës së Kosovës.

Ligji për nisma legjislative, ndonëse thekson se presidenti ka të drejtë të propozojë nisme, specifikon se këtë mund ta bëjë vetëm nga fushëveprimtaria e tij/saj.

Që buxheti, nuk hyn në kuadër të këtyre kompetencave, e thotë edhe Kushtetuta e Kosovës në nenin 93 që përcakton kompetencat e ekzekutivit, e drejtë ekskluzive e Qeverisë së Kosovës është propozimi për buxhetin.

Artikuj të tjerë

Back to top button