Lladrovci pret në takim ish-ministrin e Kurtit, Armend Mehajn

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka prituri në takim ish-ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj, që shërbeu në qeverinë e Albin Kurtit.

Në takim ishin edhe dy investitorë, të cilët shfaqen interesim për investime në këtë komunë.

“Me kënaqësi, prita në takim mikun tim dhe të familjes, ish ministrin e Mbrojtjes, z. Armend Mehaj, së bashku me dy biznesmenë nga Norvegjia. Para se të diskutonim për investimet në komunën e Drenasit, pranova urimet për fitoren e 12 Tetorit. Mysafirët i falënderova dhe theksova se duam të arrijmë që komuna e Drenasit të shpallet dhjetë herë kampion i performancës”, shkroi Lladrovci.

Ai ka thënë se Drenasi është komunë strategjike për investime.

“Drenasi, duke qenë në zemër të Kosovës, është komunë strategjike për investime, me administratë efikase, miqësore për investitorët dhe ofron lehtësira maksimale për të bërë biznes. Po ashtu, theksova se jo vetëm Parku i Biznesit “Drenasi 1 dh 2”, por edhe në disa zona tjera, me hartat zonale janë paraparë për zhvillimin ekonomik”, shtoi tutje, derisa falënderon Mehajn.

“Prodhimtaria është shumë e rëndësishme për vendet e reja të punës, në veçanti për të rinjtë tanë, prandaj ne jemi në shërbim të investitorëve. E falënderova Armendin dhe miqtë e tij investitorë për konsideratën dhe vënien e komunës tonë prioritet për investime, duke i siguruar se do të ofrojmë gjithë mbështetjen ligjore për të ecur investimi mbarë. Faleminderit Armend”, përfundon Lladrovci, që pak ditë më parë njoftoi kthimin në PDK.

Artikuj të tjerë

Back to top button