Anulohet seanca për krime lufte ndaj të akuzuarve Pantiq dhe Zariq

Për të dytën ditë me radhë, seanca në Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, është anuluar.

Arsyeja e anulimit të seancës së sotme është gjendja shëndetësore e të akuzuarit Pantiq, që sipas njoftimit të Burgut të Sigurisë së Lartë në Dyz, vazhdon të jetë e pandryshuar. Edhe seanca e të hënës është anuluar për të njëjtat arsye.

Sipas aktakuzës së ngritur më 1 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pantiq, ish-kryeshef i Stacionit Policor në Istog, dhe Zariq, ish-polici, akuzohen për veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Aktakuza përshkruan se më 19 maj 1999, pas bombardimeve të NATO-s, forcat policore serbe nën udhëheqjen e Pantiqit hynë në burgun e Dubravës dhe ushtruan dhunë sistematike ndaj të burgosurve shqiptarë, duke vrarë të paktën tre prej tyre dhe plagosur dhjetëra të tjerë. Më 21 maj 1999, forcat policore vazhduan sulmet, duke vrarë 18 të burgosur dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

Aktakuza gjithashtu përfshin raste të dhunës seksuale ndaj të burgosurve shqiptarë me pseudonimet “A1” dhe “B1”, si dhe vrasje të disa familjeve në Komunën e Istogut.

Seanca e radhës do të caktohet pas rivendosjes së gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Pantiq.

Artikuj të tjerë

Back to top button