Haxhiu shpall Kuvendin të konstituuar

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka konstatuar konstituimin e legjislaturës së XI-të, pas përfundimit të procesit për zgjedhjen e nënkryetarëve.

Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës u zgjodh nënkryetar me 75 vota për, një kundër dhe katër abstenime.

Nënkryetare u zgjodh edhe Emilija Rexhepi, përfaqësuese e komuniteteve joshumicë joserbe. 

Ndërkohë, asnjëri nga gjashtë kandidatët e propozuar nga Lista Serbe nuk arriti t’i siguronte votat e nevojshme.

Në seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

PDK-ja kishte deklaruar se Kuvendi duhej të konstituohej brenda afatit 30-ditor, deri më 7 gusht, sipas Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO124/25.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje e shkeli këtë afat dhe më pas nuk e respektoi as afatin e ri të vendosur për 6 shtator.

PDK-ja kishte marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, duke e lidhur vendimin me 16 shtatorin dhe vendimin që pritet në Hagë.

Kjo parti argumentoi se e votoi kandidatin e VV-së për nënkryetar, ndërsa VV-ja refuzoi ta votonte kandidaten e PDK-së.

“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike”, kishte deklaruar PDK-ja.

PDK ka njoftuar se po e përgatit rastin për Gjykatën Kushtetuese dhe se, deri në vendimin e saj, nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Artikuj të tjerë

Back to top button