
Dogana e Kosovës ka ndaluar tetë telefona të mençur të markës iPhone 18, në vlerë prej rreth 15 mijë eurosh, të cilët nuk ishin deklaruar nga një udhëtar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, rasti është evidentuar më 18 shtator gjatë kontrolleve rutinore dhe kontrolleve të bazuara në analizën e rrezikut ndaj udhëtarëve që hynin në territorin e Republikës së Kosovës.
Udhëtari është ndaluar për kontroll, ndërsa pas kalimit të bagazhit nëpër skaner dhe dyshimeve të zyrtarit doganor, është kryer edhe ekzaminimi fizik i bagazhit.
Gjatë kontrollit janë gjetur tetë telefona të mençur të markës iPhone 18, të cilët nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore. Vlera e përgjithshme e tyre është rreth 15 mijë euro.
Mallrat janë ndaluar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti është proceduar për vazhdimin e procedurave doganore, përfshirë përcaktimin e statusit doganor dhe detyrimeve përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas Kodit Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, mallrat e bartura nga udhëtarët duhet të deklarohen kur janë mbi kufijtë e lejuar ose kur kanë natyrë tregtare.
Përfitimi nga lirimi për bagazhin personal vlen vetëm për importe që nuk kanë natyrë tregtare, ndërsa natyra dhe sasia e mallrave janë ndër elementet që merren parasysh në përcaktimin e karakterit jo-tregtar të importit.



