
Me datën 23 shtator, TandemPress mëson nga autoritetet sllovene se në produktin ushqimor “Flips Ketchup” prodhuesi Pestova L.L.C janë gjetur alergjen të qumështit , ndërkaq lidhur me rastin sot ka reaguar dhe AUV- Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit ushqimor “Flips Ketchup” të prodhuesit PESTOVA L.L.C., pasi në të janë konstatuar gjurmë të alergjenit qumësht, i cili nuk ishte deklaruar në etiketë.
Sipas njoftimit të AUV-së, rasti është evidentuar përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), me numër njoftimi 2026.8267.
“Gjatë kontrollit zyrtar në Slloveni është marrë mostër e këtij produkti, ku përmes analizave laboratorike është konstatuar prania e gjurmëve të qumështit”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Sipas AUV-së, pas vlerësimit të riskut, produkti është konsideruar i pasigurt për konsumatorët e ndjeshëm ndaj alergjenit qumësht.
Janë prodhuar mbi 20 mijë pako
AUV ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të njoftimit ka nisur gjurmueshmërinë për prodhimin dhe tregtimin e produktit.
Gjatë kontrollit zyrtar në kompaninë PESTOVA SHPK, inspektorët kanë konstatuar se produkti “Flips Ketchup”, Lot FK 04/26, ishte ende i pranishëm në stok.
“I njëjti sipas dokumentacionit ishte prodhuar në sasi prej 20,406 pakosh dhe ishte eksportuar në disa vende”, njofton AUV.
Për këtë arsye, AUV ka urdhëruar operatorin ekonomik që ta tërheqë menjëherë nga tregu produktin me këtë lot dhe ka ndaluar shitjen apo distribuimin e sasisë së mbetur në depo.
Po ashtu, është vendosur masë kufizuese për prodhimin dhe vendosjen në treg të produktit të ri, deri në kryerjen e analizave laboratorike për praninë e alergjenëve të qumështit dhe/ose korrigjimin e deklaracionit.
“Pas marrjes së rezultateve të analizave laboratorike, vendoset për fatin e produktit duke u mbështetur në rezultate dhe vendosje të etiketimit-deklarimit të saktë të përbërësve në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftim.
AUV u bën thirrje konsumatorëve
AUV u ka bërë thirrje konsumatorëve që të kenë kujdes gjatë blerjes së produkteve ushqimore.
“Nëse e hasni produktin sipas të dhënave më lartë në treg, të njoftoni menjëherë AUV-në”, thuhet në njoftim.
Agjencia gjithashtu kërkon që konsumatorët që e kanë këtë produkt në shtëpi ta kthejnë në pikën ku e kanë blerë.


