KGJK mirëpret gjetjet e Raportit për drejtësinë në Kosovë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mirëpritur publikimin e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2025 dhe vlerësimet pozitive për përkushtimin e sistemit gjyqësor në forcimin e sundimit të ligjit.

“Raporti njeh përkushtimin e udhëheqjes së KGJK për avancimin e transparencës, përmirësimin e performancës gjyqësore dhe zbatimin e reformave për efikasitet më të madh, përfshirë miratimin e strategjive të reja për komunikim institucional dhe për trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin e sistemit të vlerësimit të performancës dhe promovimin e publikimit të aktgjykimeve. Po ashtu, Raporti vlerëson në aspektin pozitiv trajtimin efektiv të ankesave nga Paneli i Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (PZAP) dhe Gjykata Supreme, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve”, shkruan KGJK.

Tutje mirëpritet edhe vlerësimi për ekzistimin e dokumenteve strategjike.

“Këshilli Gjyqësor mbetet i përkushtuar për të përmirësuar funksionet menaxheriale dhe mekanizmat e llogaridhënies, për të siguruar performancë dhe cilësi në punën e gjykatave. Po ashtu, pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit mbeten parime themelore në funksionimin e sistemit, dhe çdo ndikim i papërshtatshëm është i papranueshëm”, thuhet në reagimin e KGJK-së.

Po ashtu, thuhet se KGJK njeh nevojën për zbatim më të qëndrueshëm të Sistemit të Informimit për Menaxhimin e Lëndëve (CMIS) dhe për forcimin e zbatimit të kodit etik dhe procedurave disiplinore.

“Këshilli do të vazhdojë përpjekjet për garantimin e drejtësisë së paanshme, transparencës dhe verifikimit të pasurisë së gjyqtarëve në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, thuhet në reagim.

Artikuj të tjerë

Back to top button