Detaje nga vrasja në Gjakovë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm Gjakovën, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është plagosur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, ndërsa sipas informacioneve fillestare viktima është R.B rreth 38 vjeç, i cili është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes.

Ndërkohë, nga të shtënat është plagosur edhe E. M rreth 29 vjeç, i cili ka pësuar plagë në kraharor dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas burimeve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Si i dyshuar për rastin përmendet N. Z, pronari i lokalit “My Place”, i cili pas ngjarjes është larguar nga vendi i incidentit në drejtim të panjohur dhe aktualisht po kërkohet nga policia.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja të armës së zjarrit, si dhe një mjet i mprehtë (thikë).

Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, përfshirë Kryeprokurorin e Shtetit, komandantin e stacionit policor, Njësinë e Hetimeve Rajonale dhe Krim-Teknikën Rajonale, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar për krime të rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia është në kërkim të të dyshuarit dhe hetimet për këtë ngjarje janë në zhvillim.

Artikuj të tjerë

Back to top button